MEDITIMI I DITËS – TOKA DHE FARA E MIRË
Written by Radio Maria on July 27, 2017
Mt 13, 18-23 TOKA DHE FARA E MIRË
Kërkoj hirin: që të jem tokë e mirë për farën e Fjalës së Hyjit që jep fryt.
Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet: 18 “Tani dëgjoni ç’do të thotë shëmbëlltyra e mbjellësit: 19 Secilit që e dëgjon Fjalën e Mbretërisë e nuk e kupton, i vjen i Keqi dhe ia rrëmben atë që i qe mbjellë në zemër. Ky është ai që u mboll ‘pranë udhës’.
Jezusi shpjegon kuptimin e krahasimit për mbjellësin. Në të flet për katër lloje të njerëzve që iu përngjajnë katër llojeve të tokës në të cilat bie fara. Kjo do të thotë se fara e të njëjtës Fjalë të Hyjit jep fryte sipas përgjigjes personale të secilit njeri në secilën tokë.
Toka e parë, janë ata pranë udhës. Kjo është toka e shkelur dhe e fortë. Fara e Fjalës së Hyjit dëgjohet ose lexohet. Kjo është e gjitha. Mirëpo kjo gjë mbetet si një lexim i gazetës të cilën pasi që e lexojmë e mbyllim dhe çdo gjë përfundon, sepse i harrojmë të gjitha. Atëherë «vjen i Keqi dhe e merr atë farë që u mboll në zemër». Kjo është situata ideale që ta arrijë qëllimin e vet. Prandaj, më Fjalën e Zotit nuk guxojmë të veprojmë ashtu. Ajo nuk është vetëm lexim i bukur, nuk është lexim i mendimeve interesante, prandaj më duhet ta ruaj që mos të ma marrë i Keqi. Në Fjalën e Hyjit nuk takohem me shkronjën e vdekur, por me Hyjin e gjallë, më atë që edhe sot jeton për mua dhe më drejtohet personalisht me fjalën e vet. Secilën herë fjala e tij do të më zbulojë atë gjë që është e rëndësishme për jetën time sot. Qëndrimi im duhet të jetë: «që të dëgjoj çfarë më thotë Zoti!»
20 E i mbjelli ‘në zallinë’, është ai që e dëgjon Fjalën dhe me gëzim e pranon, 21 porse, për arsye se s’ka rrënjë në vetvete ‑ pse është i paqëndrueshëm, posa të vijë ndonjë ngushticë ose salvim për shkak të Fjalës, përnjëherë e bjerr besimin.
Toka e dytë është toka gurore. Këta janë ata në të cilët në fillim është i pranishëm gëzimi i madh dhe hovi. Çdo gjë pothuajse është ideale. Si të mos kishte dhe si të mos ketë mundësi të paraqitet ndonjë vështirësi. Lutja kryhet lehtë, sakramentet janë «të dëshirueshme», bashkësia të cilës i përkas është tërheqëse dhe të gjitha këto formojnë njëfarë figure të jetës… Mirëpo pas një kohe të caktuar të gjitha bëhen të zakonshme, gjëra të përditshme, fillon të zhdukët hovi dhe qëndrueshmëria. Zhdukët çdo gjë që na mbarti në fillim. Sidomos nëse vinë tundimet dhe vështirësitë, humbim zellin dhe hovin, fillojnë dyshimet. Kjo do të thotë se Fjala e Hyjit nuk ka rënë thellë në zemër, por pati interese të tjera gjatë takimit me të. Kjo do të thotë se zemra është e ngurtë dhe në të nuk depërtoi Fjala e Hyjit. Krejt kjo ishte bërë vetëm në mënyrë sipërfaqësore që nuk mjafton që në vështirësi të jemi të qëndrueshëm. Në besnikëri dhe në qëndrueshmëri bëhet e qartë se sa e kam pranuar farën e Fjalës.
22 E i mbjelli ‘në ferra’, është ai që e dëgjon Fjalën, por kujdesi i tepruar i kësaj bote dhe gënjimi i pasurisë, ia marrin frymën Fjalës e ajo mbetet pa fryt.
Toka e katërt është toka me ferra. Këta janë ata në të cilët Fjala e Hyjit ra në ferra. Ata dëgjojnë dhe pranojnë thirrjen e dyfishtë: një që ia bënë Fjala e Hyjit, tjetrën që ia bënë bota. Derisa jetojnë sipas Fjalës, ajo rritet në ne, na mbartë dhe na jep jetë. Mirëpo thirrja tjetër është vazhdimisht në ne dhe dal ngadalë e mbizotëron thirrjen e Fjalës së Hyjit. Në këtë mënyrë bota bëhet shurdhuese ky është «kujdesi i tepruar i kësaj bote dhe gënjimi i pasurisë». Fryt nuk ka. Jezusi qorton seriozisht: ku e ke thesarin, aty e ke zemrën. Çfarë kam në zemër, ajo gjë rritet. Çfarë kam në zemër, ajo gjë e drejton jetën time. A është Fjala ose kujdesi për të përkohshmen? A është fara e Fjalës së Hyjit apo gënjimi i pasurisë? O Zot, më ndihmo që kjo të jetë Fjala jote! Ajo është jetë. Nëse e dëgjoj dhe e pranoj edhe pranë thirrjes që më bënë bota, do të jetojë në mua, Fjala jote do të jetë jeta ime.
23 E i mbjelli në ‘tokë të mirë’, është ai që e dëgjon Fjalën, e kupton dhe bie fryt: njëri njëqindfish, tjetri gjashtëdhjetëfish e tjetri tridhjetëfish.”
Toka e katërt është toka e mirë. Frytshmëria është e jashtëzakonshme. Fara ra në tokë të frytshme që ia ofron të gjitha kushtet që të sjell fryt të pasur. Edhe toka jep frytin e vet. Për të marrë frytin duhet punuar. Fryti nuk vjen prej vetvetes. Duhet të kujdesemi dhe të përpiqemi. Duhet shpresuar në Hyjin.
O Zot, Fjala jote le të ma sjellë shpresën dhe paqen. Le të më forcojë që të kem mundësi ta kundërshtoj të Keqin, që mos ta ma marrë Fjalën tënde. Fjala jote le të më bëj të urtë që të dijë ta pranoj në thellësinë e zemrës sime që në të të lëshojë rrënjët dhe mos të thahet kurrë. Lë të më ndihmojë që të dalloj mirë thirrjen e saj nga thirrja që më bënë bota, kujdeset e përkohshme dhe gënjimi i pasurisë mos t’ia zënë frymën. Bëj që të jem tokë e mirë në të cilën fara e Fjalës sate do ta sjell frytin e pritur, qoftë ai tridhjetë, gjashtëdhjetë ose njëqind fish. Bëj që të jem arë e frytshme.