3 qershor Shenjti i ditës: – Shën Karl Luanga e shokë, martirë të Ugandës (1885 – 1887)

Written by on June 2, 2017

3 qershor Shenjti i ditës: – Shën Karl Luanga e shokë, martirë të Ugandës (1885 – 1887)

 

Karli ishte shtëpiak në pallatin e mbretit Muanga të mbretërisë së vjetër të pavarur të Bugandës, që sot është provincë e Republikës së Ugandës. Ai u pagëzua gjatë ungjillëzimit të Etërve të Bardhë të themeluar nga kardinali Lavizherie. Ishte viti 1885. Një vit më pas, mes rojeve mbretërore e pazhëve, ai u dogj i gjallë në Namugongo bashkë me dymbëdhjetë shokë të tjerë. Ishin të gjithë të rinj. Turrës së madhe të druve të 3 qershorit i pasoi masakra e tmerrshme e filluar më 15 nëntor të vitit 1885 me prerjen e kokës së kryeshërbëtorit të mbretit, Jozef Balikudembes. Dhe u vijua në kohë të shkurtër nga martirizimi i të krishterëve të tjerë që u gjymtuan në mënyrë të tmerrshme. Llogaritet se nga 15 nëntori i vitit 1885 deri më 27 janar 1887 u masakruan mbi njëqind të krishterë. 27 janari ishte dita kur Gjon Maria Muzeit iu pre koka dhe iu hodh në një pellg uji. Sot kalendari përkujton njëzet e dy martirët e Ugandës, të lumturuar më 6 qershor të vitit 1920 nga papa Benedikti XV dhe të kanonizuar nga papa Pali VI më 8 tetor 1964.

 

Etërit e Bardhë kishin filluar ungjillëzimin e vendit në qershorin e vitit 1879. Fillimisht u pritën mirë nga vetë mbreti Muteza dhe nga pasardhësi i ri, mbreti Muanga. Por, ky i fundit u ndikua shpejt nga kancelari i mbretërisë dhe nga kryetarët e fiseve. Pasi ndryshoi sjelljen e favorshme ndaj të krishterëve, mbreti urdhëroi shtypjen e tyre dhe nuk ngurroi t’i vriste disa me duart e veta. Një shenjtërore e madhe është ngritur në Namugongo në nder të njëzet e dy shenjtërve ugandas. Ajo u shugurua nga papa Pali VI gjatë udhëtimit të tij në Ugandë në korriku të vitit 1969.


Current track

Title

Artist