MEDITIMI I DITËS – KUNDËRSHTIMI I BOTËS

Written by on July 16, 2017

Mt 10, 34-42 KUNDËRSHTIMI I BOTËS

 

Kërkoj hirin: që ta kuptoj se bashkimi me Jezusin nxit kundërshtimin e botës në të cilën jetoj.

 

Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve te vet: 34 »Mos mendoni se erdha ta bie paqen mbi tokë. Nuk erdha ta bie paqen, po shpatën. 35 Sepse erdha të ndaj djalin prej t’et, vajzën prej s’ëmës, të renë prej së vjehrrës, 36 Njeriu do t’i ketë armiq shtëpiakët e vet.

Mos është Jezusi revolucionar luftarak? Përse ofron shpatën në vend të paqes? A thua nuk është ky Princi i paqes? A nuk i shpalli paqedashësit të lumtur? Po! Mirëpo Jezusi kërkon prej nesh që të përcaktohemi. Ai është shenja që kundërshtohet dhe nuk e kërkon ndarjen, mirëpo tek ndarja do të vij në mënyrë të domosdoshme në qoftë se përcaktohemi për të. Nuk kemi mundësi që në të njëjtën kohë të jemi për Jezusin dhe për ato gjëra që e kundërshtojnë Jezusin, me Jezusin dhe me ata që nuk pajtohen me Jezusin. Përcaktimin duhet bërë. Prandaj nuk mund të ketë paqe më të Keqin. Këtu duhet të jetë lufta e vazhdueshme.

O Zot, më jep fuqi që kurrë mos të pajtohem me të keqen. Mos lejo që në mua të ketë qetësi sa herë që i Keqi dëshiron të më luhat dhe të më vendos në paqen e rreme. «Lufta» që paraqitet në mua le të jetë shenjë se jam në rrezik dhe se më duhet të luftojë. Më ndihmo që të korrë fitore! Më ndihmo që mos të dorëzohem kurrë.

37 Kush e do të atin e t’ëmën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua. Kush e do djalin apo vajzën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua! 38 Kush nuk e merr kryqin e vet e nuk vjen mbas meje, nuk është i denjë për mua!

Ai që përcaktohet për Jezusin, domosdoshmërisht do të has në kundërshtime. Këtë gjë do ta përjetojë prej më të afërmve. Të shkosh pas Jezusit do të thotë të kesh kundërshtarët në ambientin ku jeton, ndër më të afërmit e tu. Kur përcaktohem për Jezusin, kjo do të thotë se ai e ka vendin kryesor, është mbi gjithçka dhe mbi të gjithë, pra ai është edhe përmbi lidhjet e gabueshme që e kundërshtojnë Hyjin dhe gjërat që Hyji i shpalli të shenjta. Duhet të jemi të gatshëm dhe të aftë që Jezusin ta duam mbi gjithçka. Kur është Jezusi në pyetje, të gjitha të tjerat duhet të rrinë pas tij. Vetëm për shkak të tij unë kam mundësi të veproj ashtu. Vetëm ai e meriton dashurinë time të plotë. Nuk mund të jem nxënës i Jezusit në qoftë se më shumë se atë e dua babain, nënën, djalin, vajzën… Këtu bëhet fjalë për dashurinë më të lart të cilën më duhet t’ia dhuroj. Në qoftë se Jezusit vërtetë ia dhuroj të gjitha dhe në qoftë se ai është gjithçka në jetën time, atëherë bashkë me të kam gjithçka tjetër. Në dashurinë ndaj tij përfshihen të gjitha dashuritë tjera, si edhe dashuria ndaj babait, nënës dhe më të afërmve në familje. Edhe kjo është pjesë e kryqit të cilin më duhet ta marrë që të kem mundësi të shkoj pas Jezusit. Në qoftë se nuk e bëjë këtë gjë, në qoftë se këtë gjë nuk e vendos në kryqin tim, në qoftë se këtë gjë nuk e pranoj si kryq, atëherë nuk jam i denjë të shkoj pas Jezusit. Këtu ndjej se si Ungjilli i përket asaj që është thelbësorja në jetën time. Këtu ai depërton në thellësi dhe e arrijnë thelbin. Prandaj e ndjej kërkesën e madhe që ka.

39 Kush do ta ruajë jetën e vet, do ta humbë,e kush do ta bjerrë jetën e vet për shkak tim, do ta rifitojë.«

Këtu është krejt filozofia për jetën. Kjo është logjika e Jezusit: çfarë kam gjet, e kam humbur; dhe çfarë kemi humbur për shkak të tij, kemi gjet! Ne llogarisim dhe mendojmë krejtësisht ndryshe. Prandaj në fund të fundit nuk na dalin llogaritë dhe ndonjëherë gjërat nuk i kemi në rregull.

O Zot, më ndihmo që jetën time ta dhuroj ty dhe vëllezërve rreth vetës. Bëj që ta kuptoj se vetëm duke e dhuruar jetën do ta ruaj. Ky është ligji i dashurisë: sa më shumë që jep, aq më shumë ndjen se mund të dhurosh edhe më.

 40 »Kush ju pranon ju, më pranon mua; e kush më pranon mua, pranon Atë që më dërgoi mua. 41 Kush pranon profetin pse është profet, do të marrë shpërblimin që i takon profetit; kush pranon të drejtin, pse është i drejtë, do të marrë shpërblimin që i takon të drejtit.

Rregulla e barazisë dhe e njëjtësimit. Jezusi bëhet një më nxënësit e vet. Të pranosh ata do të thotë ta pranosh Jezusin, e ta pranosh Jezusin do të thotë ta pranosh Atin që e dërgoi. Sa të thjeshta dukën këto gjëra e pra e përqafojnë gjithësinë: krijesat dhe Krijuesin. O Zot, më ndihmo që të dijë ta pranoj tjetrin dhe në të të shikoj ty! Këtë mundësi ma dhuron secilën ditë në të cilën kam mundësi të marrë aq shumë hire prej teje.

42 Kush ia jep ndonjërit prej këtyre të vegjëlve, madje edhe një gotë uji të freskët, pse është nxënësi im, për të vërtetë po ju them: nuk do t’i humbë shpërblimi!« 11 1 Kur Jezusi i kreu porositë që deshi t’ua japë dymbëdhjetë nxënësve të vet, u nis së andejmi për të mësuar e për të predikuar në qytetet e atjeshme.

Çfarë mund të ketë më të lehtë dhe më të thjeshtë se sa ta dhurosh një gotë ujë? Ndoshta kjo gjë na duket e parëndësishme dhe e pa vlerë. Kush ka për ta parë dhe për ta vlerësuar këtë gjë? Fjala e Jezusit është e sigurt. Hyji sheh çdo gjë që ndodh në fshehtësi. Është dikush që shikon çdo gjë që bëjmë me dashuri, qoftë ajo edhe gjëja më e vogël, nuk mund të kalojë pa e parë. Kjo gjë lë të na japë guxim dhe të na nxisë që të mos jemi egoist dhe mos të lodhemi kurrë në gjestet e vogla të dashurisë. Këto gjeste jetën e bëjnë më njerëzore dhe më cilësore. O Zot, të falënderoj që i sheh hapat e mi të vegjël që i bëj duke iu shërbyer të tjerëve. Të falënderoj që i shpërblen gjërat e vogla dhe të parëndësishme në jetën time.


Current track

Title

Artist