Written by Radio Maria on November 14, 2017
Shenjti i ditës – 15 nëntor: Shën Alberti i Madh, ipeshkëv dhe mësues i Kishës (1200 – 1280)
Alberti, të cilin pasardhësit do ta quajnë «Magno», d.m.th i madh, u lind në Lauingen, Bajern, në vitin 1200. Ai është ndër mendimtarët e parë mesjetarë që pohon pavarësinë e shkencës dhe të filozofisë nga teologjia. Gjeni i vërtetë enciklopedik, i aftë të endej lirisht me siguri të madhe në fushat e ndryshme të dijes njerëzore. Bashkëjetoi në harmoni të përkryer mes arsyeve të shkencës dhe atyre të fesë: «Zot Jezus» lutej, «e thërrasim ndihmën tënde që të mos joshemi nga fjalët e kota tunduese mbi fisnikërinë e familjes, mbi prestigjin e Urdhrit, mbi atë që shkenca ka tërheqëse». Ishte me origjinë fisnike, por ndryshe nga dishepulli i tij i famshëm Shën Tomë Akuini, nuk pati vështirësi nga ana e familjes të vishte zhgunin e përvuajtur të fretërve lypës. Dhe me më pak vështirësi mori në Paris titullin e mësuesit dhe një famë të gjerë në të gjithë Evropën, në fushën shkencore dhe teologjike.
Kishte përfunduar studimet e tij universitare në Padova, ku kishte takuar eprorin e përgjithshëm të domenikanëve, të lumin Jordanin e Saksonisë. Ky e kishte dërguar në jetën rregulltare. Mësoi filozofi në Hildesheim, Eriburg, Regensburg, Strasburg, në Paris dhe Këln, ku pati mes nxënësve të tij Shën Tomë Akuinin, dhuntitë e mëdha të të cilit i njohu menjëherë. «Ju e thërrisni ka i heshtur», u tha nxënësve të tjerë që e kishin përkufizuar me një shprehje të tillë shokun e heshtur të klasës, «por ky me doktrinën e tij do të lëshojë ulërima të tilla sa do të dëgjohen në të gjithë botën». Pasi u zgjodh epror provincial i Gjermanisë, përshkoi më këmbë krahinat e ndryshme, për të qenë afër bashkësive rregulltare të besuara atij, duke lypur gjatë udhëtimit bukë dhe një çati. Biri i kontit të Bollstadt, pasi u emërua ipeshkëv i Regensburgurt, e jetoi në mënyrë të përkryer shpirtin e varfërisë, i përfshirë në jetën rregulltare. «Në arkat e tij nuk kishte mburojë», tha për atë kush e njohu nga afër, «asnjë pikë verë në fuçi dhe një grusht grurë në hambar». E drejtoi dioqezën vetëm për dy vjet e pastaj, me pëlqimin e papës, mundi të kthehej në kuvendin e tij të Vyrcburgut dhe të mësonte sërish në seminarin e përgjithshëm të Këlnit, ku përfundoi edhe jetën e tij të zellshme. U kanonizua në vitin 1931. Më pas mori nga Piu XII titullin mësues i Kishës dhe . pajtor i lëvruesve të shkencave natyrore.